Pyetja 3: Çfarë na mësojnë kryesisht Shkrimet?

Përgjigjja: Shkrimet na mësojnë kryesisht se çfarë duhet të besojë njeriu në lidhje me Perëndinë dhe çfarë detyre kërkon Perëndia nga njeriu.

Katekizmi i Shkurter i Westminsterit

Dy pyetjet e para të Katekizmit janë hyrëse në trupin e veprës, siç është theksuar tashmë. E gjithë superstruktura e Katekizmit të Shkurtër (në fakt edhe e tërë Katekizmit të Zgjeruar të Uestminsterit) na shpaloset në skicën që i bën Përgjigja 3 – Shkrimet na mësojnë kryesisht se:

    1. çfarë duhet të besojë njeriu në lidhje me Perëndinë
    2. çfarë detyre kërkon Perëndia nga njeriu

Pyetjet nga 4 në 38 përfshijnë e trajtojnë gjerësisht çështjen e besimit (teologjia), dhe Pyetjet nga 39 deri 107 trajtojnë kryesisht detyrën (moralin apo praktika e jetës së Krishterë). Këto dy ndarje të mëdha përmbajnë nënndarjet e tyre përkatëse, të cilat do të shtjellohen ndërsa ballafaqohemi me ato. Për një detajim të këtij skicimi të shkurtër, konsulto shtojcën Skeleti i Katekizmit të Shkurtër në fund të dokumentit.

Mesazhi Qendror i Shkrimeve

Fraza “Shkrimet na mësojnë kryesisht” i referohet faktit se në Bibël flitet për shumë gjëra, por se doktrinat mbi Personat dhe veprat e Perëndisë Triunë, si dhe privilegjet, detyrimet dhe obligimet që njeriu ka ndaj Perëndisë janë qëllimi kryesor i Shkrimeve.

Padituria ndaj këtij qëllimi kryesor të Biblës i ka shtyrë shumë njerëz që të kërkojnë informacione e doktrina që Bibla nuk i ka pasur kurrë për qëllim që ti përçojë.[1] Bibla nuk tregon një histori të plotë të tërë njerëzimit, informacione të cilat duhet ti gjejmë nga burime të tjera. Bibla nuk përmban formula kimike apo parime të elektronikës. Madje Bibla nuk përmban as edhe një histori të plotë të fëmijërisë së Jezusit, apo një përshkrim të paraqitjes fizike të Jezusit. Përse? Sepse Bibla na u dha që të mësojnë kryesisht se çfarë duhet të besojë njeriu në lidhje me Perëndinë dhe se çfarë detyre kërkon Perëndia nga njeriu.

Sigurisht që Bibla ka shumë për të thënë për shumë gjëra. Në fakt, pa interpretimin thelbësor që Bibla i bën tërë krijimit, asnjë shkencëtar apo historian nuk mund të thuhet se e njeh vërtetësish sferën e vet të studimit. Pa Biblën, ne nuk mund të kemi një njohje të vërtetë të asgjëje. E gjithë e vërteta është e vërteta e Perëndisë.

Për shembull: Shkenca moderne beson se gjithçka është produkt i evolucionit. Kjo teori e lë Perëndinë tërësisht jashtë ngjarjes së krijimit, formulës së universit si faktori kryesor i saj, dhe si rrjedhim nuk jep një interpretim të vërtetë mbi universin. E gjithë e vërteta është e vërteta e Perëndisë. Sepse çdo gjë në univers është e krijuar nga Perëndia, çdo gjë në univers ka lidhje me Perëndinë Krijuesin. Nëse kjo lidhje nuk pranohet si postulati bazë i aktivitetit shkencor, atëherë edhe pse shkenca njeh shumë, ajo nuk njeh dhe interpreton vërtetësish fushën e saj të studimit.

Bibla është burimi i ndriçimit të vërtetë. Përmes Biblës, njeriu mundësohet që të besojë në Perëndinë e vërtetë. Gjithashtu, njeriu mundësohet që të kuptojë vendin e tij në këtë univers. Për shkak të Biblës dhe të ndërhyrjes së Frymës së Shenjtë që na bind për mesazhin r Biblës, ne jemi në gjendje që të kuptojmë që kjo është bota e Atit tonë, se ne duhet që gjithnjë të kërkojmë lavdinë e Perëndisë në gjithçka që ne bëjmë në këtë botë.

Edhe për sa i përket mesazheve, doktrinave dhe instruktimeve që na jep Bibla, jo të gjitha janë njësoj të rëndësishme.

Megjithëse i gjithë Shkrimi është fjala e Perëndisë, dhe si rrjedhojë e gjitha po aq e vërtetë, dhe asnjë pjesë e saj nuk e meriton vërejtjen tonë, megjithatë të gjitha gjërat në të nuk janë po aq të rëndësishme, as të lidhura në mënyrë të barabartë me shpëtimin e përjetshëm. Ato gjëra që njeriu është i detyruar të besojë dhe të bëjë, siç është e nevojshme për shpëtimin, janë gjërat që Shkrimet na mësojnë kryesisht.[2]

Renditja e Besimit dhe Detyrës

Besimi është baza e bindjes. “Edhe pa besim është e pamundur t’i pëlqesh Atij, sepse ai që i afrohet Perëndisë duhet të besojë se Perëndia është, dhe se është shpërblyesi i atyre që e kërkojnë atë” (Heb. 11:6). Kjo është doktrina e Katekizmit të Shkurtër siç dallohet menjëherë nga struktura e Përgjigjes 3 si dhe e tërë Katekizmit. Rendi i përgjigjes është thelbi i ungjillit, renditja e duhur midis shpëtimit dhe shenjtërimit, dhe që përbën ndryshimin thelbësor midis krishterimit biblik dhe të gjitha sistemeve të tjera të shpëtimit të ideuara nga njerëzimi. Kjo për dy arsye:

Së pari, ka shumë që thonë se çfarë ka rëndësi është sinqeriteti i besimit dhe jo përmbajtja e tij. Gjoni shkroi “Kushdo që shkel dhe nuk qëndron në doktrinën e Krishtit, nuk ka Perëndi; kush qëndron në doktrinën e Krishtit, ai ka edhe Atin, edhe Birin” (2 Gjonit 9). Jezusi i tha gruas tek pusi “Ju adhuroni atë që s’e njihni; ne adhurojmë atë që njohim…Perëndia është Frymë, dhe ata që e adhurojnë, duhet ta adhurojnë në frymë dhe në të vërtetën” (Gjoni 4:22, 24). Është shumë e rrezikshme të mendosh se njeriu mund të jetojë besimin siç duhet me njohjen e gabuar të Perëndisë. “Një dru i mirë nuk mund të japë fryte të këqija, as një dru i keq të japë fryte të mira” (Mateu 7:18). Besimi i duhur mundëson praktikën e duhur.

Së dyti, për sa i përket renditjes besim-bindje,  në fillim se çfarë ne duhet të besojmë se çfarë Perëndia është dhe ka bërë, dhe më pas se çfarë ne duhet të bëjmë, kjo renditje është plotësisht biblike dhe e qëllimshme. Ja disa arsye:

  • Dallimi i ndryshimit ndërmjet Besëlidhjes së Veprave dhe Besëlidhjes së Hirit. Nën Besëlidhjen e Veprave, Perëndia i urdhëroi Adamit dhe Evës bindje, dhe si pasojë, ata do të përfitonin jetën e përjetshme. Pali thotë “Sepse Moisiu shkruan për drejtësinë që vjen prej ligjit: «Se njeriu që bën këto, do të jetojë me anë të tyre»,” (Rom. 10:5). Por nën Besëlidhjen e Hirit, Perëndia jep lirshëm jetën e përjetshme nën kushtin e besimit, dhe më pas kërkon bindje nga mirënjohja dhe dashuria jonë për të. Pali shkroi “ata, që kanë besuar në Perëndinë, të kujdesen për të kryer vepra të mira” (Titi 3:8).
  • Kjo renditje e doktrinës me bindjen evidentohet edhe nga metoda që ndiqte Pali kur na informon që e tërë bindja sipas Ungjillit është bindje nga besimi. Pali thotë se Krishti erdhi sipas Shkrimeve, vdiq e u ringjall, e u predikua ndër kombe “për t’i sjellë në bindjen e besimit” (Rom. 16:26). Po kështu, kur studion strukturën e letrave të Palit, shikon se në gjysmën e parë të përmbajtjes së çdo letre, ai shtjellon doktrinën që ne duhet të besojmë, dhe më pas ai nxjerr nga ajo doktrinë, aplikimet dhe implikimet praktike që ne duhet të jetojmë.
  • Kjo renditje shmang interpretimin e gabuar se Dhjetë Urdhëresat u dhanë që Izraelit të fitonin shpëtimin përmes bërjes së tyre. Në fakt, Në parathënien e Dhjetë Urdhëresave lexojmë se Perëndia nuk e lejon këtë keqinterpretim kur thotë: “Unë jam Zoti, Perëndia yt, që të nxori nga vendi i Egjiptit, nga shtëpia e skllavërisë” (Eksodi 20:2), dhe më pas rendit urdhëresat e Tij. Pasi i ka shpëtuar, dhe ua ka zbuluar Veten përmes veprave shpenguese, Perëndia i jep Ligjin e tij një populli të shpëtuar. Shpëtimi nuk vjen përmes bërjes së veprave të Ligjit. Bindja ndaj vullnetit të shpallur të Perëndisë vjen si pasojë e shpëtimit të dhënë nga Perëndia. “Bjer përmbys para tij, sepse ai është Zoti yt” (Psalmi 45:11).
  • Bindja është fryti dhe prova e besimit të vërtetë. “Dhe nga kjo e dimë se e kemi njohur atë, në qoftë se i mbajmë urdhërimet e tij. 4 Ai që thotë: «Unë e kam njohur atë», dhe nuk mban urdhërimet e tij, është gënjeshtar dhe e vërteta nuk është në atë. 5 Por kush e mban fjalën e tij, në të me të vërtetë dashuria e Perëndisë është përsosur. Nga kjo e njohim se jemi në të.” (1 Gjonit 2:3-5)
  • Kjo renditje nuk e dobëson Ligjin, përkundrazi, e themelon atë. “Anulojmë ne, pra, ligjin nëpërmjet besimit? Kështu mos qoftë; përkundrazi e forcojmë ligjin” (Rom. 3:31).

Mesazazhi i të Vërtetave që Duhet Besuar

Çfarë është të besosh në atë që mësojnë Shkrimet? Të besosh atë që Shkrimet mësojnë, do të thotë të pranosh ose t’i japësh meritë të vërtetës së saj, për shkak të autoritetit të Zotit, fjala e të cilit janë Shkrimet – ky është besim hyjnor. KSh 86 na jep përkufizimin e besimit:

Pyetja 86: Çfarë është besimi në Jezu Krishtin?

Përgjigjja: Besimi në Jezu Krishtin është një hir shpëtues, përmes të cilit e marrim  dhe mbështetemi vetëm në Atë për shpëtim, siç na është ofruar në ungjill.

A duhet të besojmë se çfarë na zbulon Shkrimi në lidhje me Perëndinë? Po, sepse këto gjëra janë shkruar që ne të besojmë, (Gjoni 20:31). A duhet të besojmë të gjitha ato që zbulon Shkrimi? Po, duhen besuar të gjitha gjërat që janë shkruar në Ligj dhe në Profetët (Veprat 24:14) sepse ky është qëllimi i tyre. A duhet ta besojmë atë gjëra që nuk na janë zbuluar? Jo, sepse “asnjeri s’i njeh gjërat e Perëndisë, përveç Frymës së Perëndisë”, (1 Kor. 2:11).[3] Kjo njohje e Perëndisë është një privilegj i madh sepse “kjo është jeta e përjetshme, të të njohin ty, të vetmin Perëndi të vërtetë, dhe Jezu Krishtin që ti ke dërguar” (Gjoni 17:3). Vetëm në Shkrimet e Shenjta kemi zbulesën e Zotit për të cilin kemi nevojë (Psa. 58:11; Gjoni 1:18; Rom. 1:20.)

Mesazhi i Detyrave që Duhen Përmbushur

Një slogan bashkëkohor thotë “Krishterimi nuk është doktrinë por jetë”. Kjo deklaratë është një gjysmë-e-vërtetë. E vërteta e plotë dhe e saktë është se Krishterimi është doktrinë dhe jetë, doktrinë jetëdhënëse, apo doktrinë që prodhon jetë për ta jetuar për lavdinë e Perëndisë. Besimi i Krishterë nuk është ideologji esoterike, por një besim që jetohet praktikisht.  Besimi jopraktik nuk shpëton askënd. Historianët e quajnë atë ortodoksi të vdekur. Termi ortodoksi do të thotë besim i drejtë. Dikush mund të besoj të tëra doktrinat Biblike me pastërti absolute, mund të jetë në gjendje që ti artikulojë e madje edhe ti mbrojë ato me zell. Por nëse nuk i jeton ato, atëherë ky besim quhet ortodoksi e vdekur. Koncepti vjen nga Jakobi 2:20, “Po, a dëshiron të kuptosh, o njeri i kotë, se besimi pa vepra është i vdekur?” Për këtë arsye Përgjigja 3 thotë se Shkrimet na mësojnë kryesisht se…çfarë detyre kërkon Perëndia nga njeriu.

Me detyrën që Perëndia i kërkon njeriut, ne duhet të kuptojmë atë që i takon Zotit, ose atë që i detyrohemi Zotit dhe që jemi të detyruar ta bëjmë, pasi jemi krijesa, populli dhe fëmijët e Tij, si nga Krijimi ashtu edhe nga Shpengimi.

Kjo detyrë na është zbuluar nga Profetët dhe Apostujt e Perëndisë. Përmes Moisiut, Jehova tha, “Dhe tani, o Izrael, çfarë kërkon nga ti Zoti, Perëndia yt? Të kesh frikë nga Zoti, Perëndia yt, të ecësh në tërë rrugët e tij, ta duash dhe t’i shërbesh Zotit, Perëndisë tënd, me gjithë zemër e me gjithë shpirt, 13 dhe të respektosh për të mirën tënde të gjitha urdhërimet dhe statutet e Zotit që sot të urdhëroj” (LiRip. 10:12-13). Përmes Apostullit, Fryma na thotë, “Kjo fjalë është e besueshme, dhe dua që ti t’i pohosh me forcë këto gjëra, që ata, që kanë besuar në Perëndinë, të kujdesen për të kryer vepra të mira” (Titi 3:8). Parimi rregullator biblik për bindjen është ajo që gjejmë tek Jozueu 1:7, “mos u shmang prej tij as djathtas, as majtas, që të kesh mbarësi kudo që të shkosh”. Perëndia nuk kërkon as më shumë e as më pak nga sa ka kërkuar prej nesh.

Aplikime

Në mbyllje, le të rendisim disa instruktime mbi përdorimin e duhur të Shkrimeve për të na drejtuar ne më mirë në besimin dhe bindjen tonë.[4]

  1. Shiko dhe besoji autoritetit hyjnor të Shkrimeve. Studioji ato për të zbuluar brenda tyre provat e frymëzimit hyjnor të Shkrimit, që të të forcohet bindja, dhe me bindjen, edhe përjetimi dhe fuqia e Shkrimeve në jetën tënde.
  2. Studioji Shkrimet shpesh. Bibla nuk është një libër që thjesht lexohet, dhe kjo gjë vetëm të Dielën, apo ndoshta me shpejtësi dhe cekët gjatë devocionit familjar apo personal. Bibla duhet lexuar çdo ditë me qëllim për ta studiuar atë, me të njëjtin kujdes e insistim siç gërmon një minator në një minierë ari. Njeriu i Perëndisë mediton mbi ligjin e Tij ditë e natë, jo si detyrë, por si kënaqësi e privilegj jetëdhënës.
  3. Nxirr prej pasazheve që lexon doktrinën kryesore të pasazhit, diçka që mëson mbi personin dhe veprën e Perëndisë, shiko nëse të bën thirrje kundra ndonjë mëkati personal, nëse të jep motive për bindje të mëtejshme, ngushëllime nën sprova, argumente për mbrojtjen e besimit, mënyrën më të mirë për tu lutur.
  4. Kërko në lutje ndriçimin e Frymës së Shenjtë përpara dhe pas studimit të Biblës. Kjo është një nga arsyet që të Krishterët nuk marrin aq sa duhet nga studimi, dhe të dekurajuar, e braktisin atë plotësisht. Lutu që ta lexosh Biblën nën dritën e Frymës së Shenjtë dhe ta përdorësh atë nën drejtimin e Tij. Ka ndryshim të madh kur shikojmë një peizazh në mes të natës, përmes ndriçimit të hënës, dhe të njëjtit peizazh nën ndriçimin e Diellit. Po kaq i madh është ndryshimi ndërmjet leximit të Biblës pa dhe me ndihmën e Frymës së Shenjtë.
  5. Shqyrtoje zemrën dhe jetën në përputhje me Fjalën. Merr shembull nga Zoti Jezus, i cili e kishte Ligjin e Perëndisë në zemrën e Tij, që të gjitha fitoret që i fitoi, dhe të gjitha ngushëllimet që morri gjatë shërbesës së Tij në tokë, i bëri me Fjalën e Perëndisë.
  6. Së fundi, merr një vendim, dhe bëj një besëlidhje personale me Perëndinë se do të jetosh në përputhje me vullnetin e shkruar të Perëndisë, dhe se do të vdesësh në shpresën e ungjillit të Biblës.

Bibliografi

Belfrage, Henry. Practical Exposition for the Assembly’s Shorter Catechism – Vol 1. Place of publication not identified: Lulu Com, 2010.

Henry, Matthew. An Exposition of the Shorter Catechism: Or, A Scripture Catechism in the Method of the Assembly’s. Edinburgh: John Lowe George Street, 1847.

Paterson, Alexander Smith. A Concise System of Theology on the Basis of the Shorter Catechism. New York, R. Carter & brothers, 1860.

[1] Henry Belfrage, Practical Exposition for the Assembly’s Shorter Catechism – Vol 1, pg 65.

[2] Alexander Smith Paterson, A Concise System of Theology on the Basis of the Shorter Catechism (New York, R. Carter & brothers, 1860), 27.

[3] Matthew Henry, An Exposition of the Shorter Catechism: Or, A Scripture Catechism in the Method of the Assembly’s (Edinburgh: John Lowe George Street, 1847), 5.

[4] Përmbledhur nga Belfrage, Practical Exposition for the Assembly’s Shorter Catechism – Vol 1., 70–73.

https://kishareformuardurres.org/wp-content/uploads/2021/05/Skeleti-i-Katekizmit-te-Shkurter.pdf