Haleluja! Krishti u ngjall!
Sot kemi privilegjin dhe mundësinë që të mendojmë për Pashkën, ngjalljen e Krishtit, sa bashku me pagëzimin e vëllait tonë në Krishtin, Arian Barakut. Përse vendosëm që ta pagëzojmë Arianin në të dielën e Pashkës? Sepse kjo është një traditë e vjetër e Kishës. Shumë të krishterë të shekullit të njëzetë kanë harruar lidhjet që Kisha e hershme vendosi midis Pashkës dhe pagëzimit. Por një studim i traditave dhe zakoneve të shekujve të kaluar zbulon se praktika e pagëzimit të dielën e Pashkës është pothuajse po aq e vjetër sa edhe vetë Kisha.
E Diela e Pashkës, festimi i Ngjalljes së Krishtit është një moment i përsosur për ne që të mendojmë përsëri sërish për sakramentin e pagëzimit. Ri-farkëtimi i një lidhjeje midis pagëzimit, ringjalljes dhe Pashkëve mund të na ndihmojë të kuptojmë secilin me thellësi të reja. Të tre këto na thërrasin në jetën e re që shpallim në Jezus Krishtin.
Pagëzimi gjithnjë na kthen tek ungjilli, tek lajmi i mirë që vetë Perëndia ndërhyri për të shpëtuar mëkatarë si ne përmes Jezu Krishtit. Dhe kështu pagëzimi është premtimi i fjalës së Zotit në një formë të dukshme, siç ka shkruar Shën Augustini. Pra, pagëzimi është premtimi i fjalës së Zotit në një formë të dukshme.
Shikoni se si e thotë Pali këtë. Pikërisht përpara këtij pasazhi, Pali thotë se “ligji hyri në mes që shkelja të shtohej; por aty ku mëkati është i shtuar, hiri kapërderdh akoma më shumë.” Pra, ligji u dha nga Perëndia jo vetëm për të zbuluar mëkatet e njeriut por edhe për t’i ekzagjeruar mëkatet e tyre. MË PAS Pali shton, “atje ku mëkati u rrit, hiri teproi edhe më shumë” (5:20). Pali po thotë se lajmi i madh i drejtësimit tonë dhe i pranimit tonë nga Perëndia është se për shkak të Jezu Krishtit ne nuk mund të mëkatojmë më shumë se sa hiri. Mëkati ynë nuk ia kalon dot hirit për nga përmasa. Sado i madh që të jetë mëkati ynë, hiri i Perëndisë është akoma edhe shumë herë më i madh.
Shpesh herë fëmijët e mi luajnë lojën e përqeshjes përmes imitimit. Njëri nga fëmijët thotë diçka, dhe dy të tjerët përsërisin se cfarë i pari ka thënë. Kjo vazhdon deri sa njëri prej tyre të dorëzohet. Kjo nuk ndodh me Perëndinë. Ne nuk mund ta bëjmë dot Perëndinë që të dorëzohet thjesht spse ne vazhdojmë të mëkatojmë. Hiri i Perëndisë gjithnjë ia kalon mëkatit tonë.
Natyra jonë mëkatare përpiqet të përfitojë prej lajmit të ungjillit. Natyra jonë thotë: Atëherë, nëse është kështu, atëherë a nuk është më mirë që të mëkatojmë edhe më shumë, me qëllim që të marrim më shumë hir? A nuk është ky një implikim logjik i ungjillit të hirit? Pali thotë tek vargu 1: “Ç’të themi, pra? A të mbetemi në mëkat, që të shtohet hiri?” Këta janë llojet e njëjtë të njerëzve që Juda thotë se “kthejnë hirin e Perëndisë tonë në shthurje dhe mohojnë të vetmin Zotëri Perëndi dhe Zotin tonë, Jezu Krisht.” (Juda 4). Por Pjetri shkroi, “Silluni si njerëz të lirë, por jo duke përdorur lirinë si një petk për të mbuluar ligësinë, por si shërbëtorë të Perëndisë.” (1 Pjetrit 2:16). Ashtu si Pjetri, Pali na sfidon si besimtarë për të jetuar jetë të reja me perëndishmëri, sepse Zoti na e ka ndërprerë marrëdhënien me mëkatin dhe na ka dhënë një marrëdhënie të re me të: “Ne që jemi të vdekur ndaj mëkatit, si do të jetojmë ende në të?” (v. 2) Për ta ilustruar këtë, Pali flet për pagëzimin tonë. Këtë mëngjes dua që ju të mbani mend pagëzimin tuaj.
Kujto Çdo Ditë Shenjën e Pagëzimit
Zoti na thotë mua dhe juve sot, mbani mend çdo ditë shenjën e pagëzimit. A nuk është interesante këtu që kur Pali donte të hidhte poshtë mësimin të rremë se duhet të vazhdojmë në mëkat që hiri të mund të teprojë (v. 1), ai na kujton pagëzimin tonë? Mesazhi I pagëzimit përshkon tërë Dhjatën e Re. Gjoni erdhi duke pagëzuar njerëzit në përgatitje për ardhjen e Zotit. Kur Zoti arriti, edhe ai iu nënshtrua pagëzimit për t’u identifikuar me mëkatarët.
Para se të kthehej në lavdi, Zoti i urdhëroi dishepujt e tij të shkonin në tërë botën duke pagëzuar dhe duke mësuar. Kudo gjatë Veprave të Apostujve lexojmë për konvertime dhe pagëzime – për tre mijë në ditën e Rrëshajave, apo për dhe Kornelin. Si shembull, unë do t’ju jap një skenar dhe ju më tregoni se si përgjigjet Dhiata e Re. Dy anëtarë të kongregacionit tonë kanë një mosmarrëveshje ligjore me një tjetër dhe ata vijnë tek ju për arbitrim, përndryshe cështja shkon në gjykatën e qytetit. Cfare mund ti thuash atyre? Tek 1 Korintasve 6 lexojmë se Pali u thotë disa besimtarëve në një situatë të ngjashme se nuk mund të hedhin njëri-tjetrin në gjyq para jobesimtarëve e njerëzve të botës të cilër nuk do ta trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë. Kështu ishit edhe disa prej jush, u kujton Pali Korintasve. “Dhe të tillë qetë disa prej jush; por u latë, por u shenjtëruat, por u drejtësuat në emër të Zotit Jezus dhe nëpërmjet Frymës së Perëndisë tonë.” Kjo është ajo që Pali tha në 1 Korintasve 6:11. Ishit mëkatarë, u kujton Pali atyre, “por u latë, por u shenjtëruat, por u drejtësuat”. Pali u kujton pagëzimin që është simboli dhe vula e drejtësimit.
Të gjithë tundohemi nga idhujtaria, sidomos duke i shërbyer vetes; të gjithë jemi tunduar nga imoraliteti seksual; të gjithë jemi tunduar që të ankohemi kundër njëri-tjetrit, por veçanërisht ndaj Zotit. Çfarë këshille do të më jepnit mua si pastori juaj se si të këshilloni njerëzit në këto situata? Ndoshta ju duhet të më drejtoni tek 1 Korintasve 10:1-4 ku Pali thotë “se gjithë etërit tanë ishin nën renë, dhe të gjithë shkuan nëpër det, 2 dhe të gjithë u pagëzuan mbi Moisiun në re dhe në det, 3 dhe të gjithë hëngrën të njëjtin ushqim frymëror, 4 dhe të gjithë pinë të njëjtën pije frymërore, sepse pinin prej shkëmbi frymëror që i ndiqte; edhe ky shkëmb ishte Krishti.” Pali u kujton Korintasve shpëtimin dhe pagëzimin. Dhe u thotë, rrjedhimisht, tani jetoni siç duhet.
Në bashkësinë tonë kemi njerëz me lëkurë të bardhë që përfaqësojnë të gjitha llojet e trashëgimive evropiane; kemi njerëz me lëkurë kafe, kemi njerëz të pasur e të varfër, kemi njërëz të shkolluar e të pashkolluar. Kemi fërkime dhe tensione; shpesh herë ofendojmë njëri-tjetrin. Çfarë duhet të bëjmë? Duhet të kujtojmë fjalët dhe mesazhin e Palit tek Galatasve 3:26-27: “sepse të gjithë ju jeni bij të Perëndisë me anë të besimit në Krishtin Jezus. 27 Sepse sa veta u pagëzuat në Krishtin, Krishtin keni veshur.” Pali na kujton se jemi të shpëtuar, se I përkasim të njëjtit At, jemi trashëgimtarë të së njejtës familje, dhe se jemi pagëzuar me Krishtin po njësoj. Të gjithë të gjithë kemi veshur Krishtin përmes pagëzimit shpirtëror dhe fizik. Pra, Pali thotë, mos harroni që jeni të pagëzuar. Kujtoni çdo ditë shenjën e pagëzimit në çdo skenar të mundshëm të ditës.
Për këtë arsye biblike, Martin Luteri shkroi se e gjithë jeta jonë e Krishterë është «asgjë tjetër përveç një Pagëzim i vazhdueshëm i përditshëm, njëherë i filluar dhe gjithmonë duke e vazhduar». Pagëzimi është fillimi i jashtëm i jetës sonë në bashkësi me Krishtin dhe kishën e tij dhe është gjithashtu metafora e vazhdueshme e jetës sonë. Luteri gjithashtu e përshkroi pagëzimin si xhevahirin më të madh me të cilin mund të zbukurojmë trupat dhe shpirtrat tanë, si dhe veshjen tonë të përditshme që duhet të veshim. Mos harroni pra të vishni xhevahirin e përditshëm! Mos harroni të vishni rrobat shpirtërore! Kujto shpëtimin që ke marrë. Kujdo çdo ditë pagëzimin që ke marrë.
Kjo është gjithashtu e rëndësishme për sigurinë tonë të shpëtimit. Shpesh herë fëmijët e besimtarëve që janë rritur në kishë e që kanë besuar që në moshë të vogël pyesin: “Si mund ta di se jam i krishterë nëse nuk mbaj mend kur iu përgjigja për herë të parë ungjillit?” Çfarë fshihet pas kësaj pyetje? Në kishën ungjillore sot mbizotëron mentaliteti se personi duhet të ketë një përjetim spektakular të shpëtimit që të jetë i sigurt se është i shpëtuar. Nga ana tjetër, Reformacioni, edhe pse nuk e hedh poshtë bekimin e një përjetimi të tillë të shpëtimit, pranon me shumë urtësi pastorale edhe rëndësinë e Kishës lokale, të dëshmisë se saj kur ka pagëzuar një besimtar të ri.
Për ata që vënë në dyshim shpëtimin e tyre, shpesh herë, inkurajimi dhe dëshmia më e mirë nuk është kujtesa që dikur kanë bërë paqe me Perëndinë dhe se janë pagëzuar. Atyre u thuhet shoesh herë: “Prova e vërtetë e veprës autentike të Zotit në jetën e dikujt është rritja e personit që të jetë i ngjashëm me Krishtin, rritja në dashurisë për Perëndinë dhe njerëzit e tjerë si dhe në frytin e Frymës (Gal. 5:22–25; Jakobi 2:18).” Problemi me këtë përgjigje është se është shumë subjektive. Kjo është një përgjigje që të hedh në introspektivë, por ky është problemi kryesor me personin që dyshon shpëtimin e tij. Përgjigja subjektive është: Fiksoi sytë tek veprat e tua, tek besimi yt, tek frytet e shenjtërisë tënde. Pyetja që të bën personi i pasigurt për shpëtimin e vet është: Por sa shumë besim duhet të kem, sa rritje duhet të kem, sa fryte duhet të kem që të jem i sigurt që jam i shpëtuar?
Nga ana tjetër përgigja objektive është: Fiksoi sytë tek Krishti, tek meritat e tij, tek larja që ai ka derdhur mbi ty ditën e pagëzimit si simboli i jashtëm i asaj larje të brendëshme që more nga Fryma e Shenjtë.
Kujto çdo ditë shenjën e pagëzimit nuk është fe rituale që mohon nevojën e rilindjes shpirtërore apo të përvetësimit të Krishtit për veten tonë përmes besimit personal. Jo! Kujto çdo ditë shenjën e pagëzimit është përqafimi im personal i faktit që unë kam lindur përsëri.
Kujto Simbolikën e Thellë të Pagëzimit
Zoti gjithashtu po ju thotë mua dhe juve sot, kujto simbolikën e thellë të pagëzimit. Pagëzimi është shenja e jashtme e një realiteti të brendshëm. Fokusi i pagëzimit nuk është elementi i ujit, i cili është vetëm shenja e jashtme, por ajo që uji simbolizon. Fokusi është tek premtimi i Zotit, i cili është gjëja e simbolizuar dhe e vulosur. Ky është është xhevahiri i çmuar rreth qafave tona. Luteri tha përsëri, “Është e qartë se uji nuk [fal], por Fjala e Zotit… sepse pa Fjalën e Zotit uji është ujë i thjeshtë dhe jo pagëzim, por me Fjalën e Zotit, uji kthehet në pagëzim” (Katekizmi i Vogël).
Në tekstin tonë Pali i përgjigjet pyetjes, “a duhet të vazhdojmë në mëkat që hiri të teprojë? (v.1)” Përgjigjja e tij ishte absolute: në asnjë mënyrë! (v.2) Jo në një mijë vjet! Mos harroni, ai po na tregon nga dritarja e pagëzimit tonë, se ekziston një lidhje intime midis të qenit të drejtësuar e të shpëtuar pa veprat e ligjit nga njëra anë, dhe jetës sonë në shërbim të Zotit nga ana tjetër. Ka një lidhje intime ndërmjet drejtësimit dhe shërbimit. Kjo ndërlidhje është si një qilim i punuar me dorë. Ju mund të shihni se ka dy ngjyra të ndryshme të fillit në të. Por ato janë aq të lidhura ngushtë sa që qilimi duket sikur është është një sixhade pa ndërprerje. Shpëtimi ynë në Krishtin është një; nëse e kemi atë, kemi gjithçka. Megjithatë ne dallojmë aspekte të punës së tij si Drejtësimi dhe shenjtërimi.
Ne Vdiqëm për sa i përket Mëkatit
Pse nuk duhet të vazhdojmë në mëkat që hiri të mund të teprojë? (v. 1) Për shkak se domethënia e parë e thellë e pagëzimit tonë është se ne vdiqëm për mëkatin: “Ne që jemi të vdekur ndaj mëkatit, si do të jetojmë ende në të?” (v. 2) Mëkati na personifikohet në Bibël si një skllavopronar; ne jemi skllevërit e mëkatit. Por ne vdiqëm ndaj këtij pronari. Pali nuk thotë se vdiq ligji si skllavopronari ynë, por se vdiqëm ne. Kjo do të thotë që ne nuk jemi më nën autoritetin e mëkatit të personifikuar. Praktikisht, kur tundohesh të mëkatosh duhet të thuash me vete: “Unë për ty jam i vdekur, dhe ti je i vdekur për mua o mëkat!”
Pastaj ai thotë më hollësisht: “A nuk e dini se ne të gjithë që u pagëzuam në Jezu Krishtin, u pagëzuam në vdekjen e tij? 4 U varrosëm, pra, me të me anë të pagëzimit në vdekje, që, ashtu si Krishti u ringjall prej së vdekurish me anë të lavdisë së Atit, kështu edhe ne të ecim në risinë e jetës” (v. 3–4a). Ju nuk u pagëzuat në mëkat, por në Krisht. Kjo është një mënyrë për të thënë që tani jeni nën autoritetin e Krishtit, jo nën autoritetin e vetvetes dhe as nën autoritetin e mëkatit, dhe aq më pak nuk jemi më nën autoritetitn e djallit. Me trup dhe shpirt, në jetë dhe në vdekje, ju i përkisni Jezu Krishtit!
Ne u Ngritëm në Jetën e Re
Pse nuk duhet të vazhdojmë në mëkat që hiri të mund të teprojë? (v. 1) Sepse domethënia e dytë e thellë e pagëzimit tonë është se ne u ringjallëm. Vini re lojën ironike të fjalëve: Si mund të jetojmë ne që kemi vdekur? (v. 2) Ne vdiqëm, megjithatë jetojmë! Ne vdiqëm ndaj skllavërisë së mëkatit; dhe ne jetojmë nën Zotërimin e Krishtit! Prandaj në Shqip ne kemi atë shprehjen, Rob i Zotit. Pali vazhdon: “që, ashtu si Krishti u ringjall prej së vdekurish me anë të lavdisë së Atit, kështu edhe ne të ecim në risinë e jetës” (v. 4b). Mendoni për mikun e Jezusit, Lazarin. Ai ishte me të vërtetë i vdekur. Trupi i tij u shtri i lidhur me pëlhura varrosëse. Por pastaj papritmas, trupi i tij u ringjall dhe ai doli nga varri për të parë përsëri mikun e tij Jezusin! Kjo është cfarë na ka ndodhur edhe ne kur vdiqëm për mëkatin dhe u ngritëm me Krishtin!
Aplikimi
Kujto çdo ditë shenjën e pagëzimit dhe kujto çdo ditë rëndësinë e thellë të pagëzimit, që ti vdiqe dhe u ngjalle në jetë të re. Nga ana tjetër mos mendo: “Unë kam vite i pagëzuar, kështu që jam në rregull shpirtërisht, nuk më duhet që të baj asgjë.” Kupto se vetë akti i të kujtuarit është një akt besimi. Të kujtosh është të besosh. Pali e përdor pagëzimin si ilustrimin e prekshëm të vdekjes dhe ngjalljes sonë në Krishtin. Ai nuk po i mohon të gjitha ato që ka thënë në tre kapitujt e mëparshëm se si Zotit na ka shpallur të drejtë vetëm me anë të besimit tonë. Por Pali po e përmend pagëzimin sepse pagëzimi është mjeti i jashtëm që Zoti përdor për të portretizuar se si dikush shpëtohet nga besimi. Pra, siç thashë në fillim, pagëzimi na kthen në lajmin e mirë që Perëndia shpëton mëkatarë si ne përmes Jezu Krishtit.
Ky është lajmi i mirë i Jezus Krishtit. Ky është lajmi i mirë i vdekjes dhe i ringjalljes së Tij për ne. Ky është lajmi i mirë i pagëzimit. Kjo është edhe lidhja ndërmjet pagëzimit, qengjit të pashkës, dhe ringjalljes së Krishtit.
Çfarë lajm i mrekullueshëm! Çfarë Zoti i madh! Le të kujtojmë! Le të dalim dhe të jetojmë! Amen